Gafa e Neymarit, zbuloi aparatin sekret të Barçës

Gafa e Neymarit, zbuloi aparatin sekret të Barçës
https://blogger.googleusercontent.com/img/b/R29vZ2xl/AVvXsEg3sxv9OixGhFQMT5xG2khTOgaVAT1hZHP99ijsAHUOBNYMxSvibw6REPrw0p7eRJk-p66FtxYBhlWp-Rog_bo-YGkkiIn-oiMw5VL5pUTZes6Mkw4bapsNusNGQSGE5zJUcFftD7xEVwar/s72-c/auto_nejmar1457013486.jpg

Pas ndeshjes me Sevijen, ku mori disa goditje në shpatull, Nejmar publikoi një foto në profilin e tij në rrjetet sociale duke qetësuar të gjithë tifozët, të cilët ishin të shqetësuar për gjendjen e tij. Aksidentalisht, braziliani zbuloi një nga sekretet e katalanasve, që përdoret nga stafi mjekësor i skuadrës. Këmbët e Nejmar janë të mbuluara dhe përmes tyre kalon një tub i zi, i cili është lidhur me një makineri të vogël.

Nuk është asgjë më shumë dhe as më pak sesa një makineri që shërben për të larguar lodhjen nga muskujt dhe Barcelona e përdor me sukses prej dy sezonesh. Kjo makineri është shndërruar në një objekt shumë të rëndësishëm për futbollistët katalanas, të cilët në këtë mënyrë shmangin edhe punën e fizioterapistëve. Ajo funksionon si një kompresor dhe vë në lëvizje muskujt e këmbëve.

Dy këmbët e futbollistëve futen në këtë pajisje dhe në të lëshohet presion atmosferik i ajrit. Në këto momente, krijohen impulse dhe valë, të cilat largojnë lodhjen, inflamacionet dhe goditjet që lojtari mund të ketë marrë gjatë ndeshjeve.

Çdo futbollist e përdor në bazë të minutave të luajtura dhe këshillave nga stafi mjekësor i katalanasve.

Sukses i garantuar

E gjithë skuadra mund ta përdorë 2 deri në 3 herë në javë pas seancave stërvitore. Frekuenca e ndeshjeve vjen duke u rritur, ndërsa intensiteti është shumë i lartë. Në parim, të gjithë lojtarët e Barcelonës duhet ta përdorin këtë trajtim, i cili nuk duhet të zgjasë më shumë se 25 minuta.

Gjatë këtyre seancave duhet të jetë i pranishëm gjithmonë një fizioterapist, i cili duhet të bëjë herë pas here kontrolle që gjithçka të shkojë ashtu siç duhet.

Që nga janari, kalendari i Barcelonës është shumë i ngjeshur dhe për diçka të tillë janë ankuar shpesh trajneri dhe futbollistët katalanas. Kampionati, Kupa dhe Champions-i janë kompeticionet në të cilët Barcelona kërkon të bëjë gjithmonë maksimumin dhe loja e skuadrës së Luis Enrikes është gjithmonë shumë intensive.

Mediat katalanase zbulojnë gjithashtu se Nejmar është një nga lojtarët më të dashuruar pas kësaj makinerie dhe e përdor gjithmonë pas ndeshjeve, ndërsa Suarez dhe Mesi më pak.

“Nuk ka asnjë dyshim se të tre janë përdorues të kësaj ‘mrekullie’, kur në këmbët e tyre ndiejnë lodhje”, shkruan “El Confidencial”.

Ndjenja pozitive

Ecuria pozitive e Barcelonës, gjendja fizike optimale dhe dëmtimet e pakta nuk janë rastësi. Katalanasit duket se ia kanë besuar gjithçka “mjekut teknologjik” që i relakson dhe i kthen muskujt e tyre në gjendjen fillestare, duke mos e ndier lodhjen e 90 minutave.

“Përdorimi i kësaj makinerie për muskujt të jep efekt pozitiv në të gjitha nivelet dhe shërben për ringjalljen”, thuhet në dhomat e zhveshjes së Barcelonës. Skuadra katalanase është një nga ekipet që ka luajtur më shumë ndeshje në këtë sezon, një total prej 47 sfidash.

Ekipi i Luis Enrikes është detyruar të luajë në Superkupën e Europës, Superkupën e Spanjës, Kupën e Botës për Klube.

Trajneri i ekipit blaugrana ka bërë shpeshherë rrotacione në skuadër, por duke pasur parasysh faktin që zotëron edhe një shpikje të tillë, e ka më të lehtë për të menaxhuar energjitë. Për fat të keq, Nejmar e ka zbuluar sekretin dhe tani edhe Reali, apo skuadrat e tjera do ta përdorin diçka të tillë. Kurioziteti vazhdon të mbetet i njëjtë, nëse kundërshtarët do ta ndalin pas përdorimit të kësaj makinerie./panorama-sport/

Related product you might see:

Share this product :

Post a Comment

 
Support : Creating Website | Johny Template | Mas Template
Copyright © 2011. Super Barcelona - All Rights Reserved
Template Created by Creating Website Published by Mas Template
Proudly powered by Blogger